Kuvendi shqyrton draftin e Kartës së Bordit të Paqes
Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë në seancën plenare të së enjtes marrëveshjen e ratifikimit të pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, të përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama.
Garancitë e Kartës
Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke parashikuar se asnjë dispozitë e saj nuk i jep Bordit juridiksion brenda territorit të një shteti anëtar dhe as nuk e detyron një shtet anëtar të marrë pjesë në një mision specific ndërtimi paqeje pa pëlqimin e shprehur të shtetit.
Krijimi i Bordit të Paqes
Drafti parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me misionin për të ushtruar funksione të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe rindërtimit në territore të prekura nga konflikti, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe dispozitat e Kartës së tij themeluese.
Anëtarësimi dhe mandati
Kreu II i projektligjit parashikon anëtarësimin në Bord nga shtetet anëtare, në bazë të ftesës nga kryetari dhe njoftimit formal të pëlqimit për të qenë të lidhur nga kjo Kartë. “Shtetet mund të përfaqësohen në Bord nga Kreu i shtetit ose Kreu i qeverisë,” thuhet në projektligj.
Afati trevjeçar
Çdo shtet anëtar ka një mandat trevjeçar nga data e hyrjes në fuqi të Kartës, subjekt i rinovimit nga Kryetari i Bordit të Paqes. “Ky afat trevjeçar nuk zbatohet për shtetet anëtare, të cilat kontribuojnë më shumë se një miliard dollar amerikanë (1 000 000 000 USD) në fonde monetare (“cash”) brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës,” thuhet në draftin ligjor të qeverisë.

